Berat Gjimshiti ishte titullar në ndeshjen e djeshme që Shqipëria zhvilloi me Skocinë. Qendërmbrojtësi ndërkohë ka gjetur formacionin edhe në Itali me Atalantën. Në takimin e fundit kundër Interit ai ishte protagonist dhe shënoi golin e tretë në fitoren 4-2 kundër zikaltërve.

Paraqitja e Gjimshitit ka qenë e mirë dhe sikurse thuhet në mediat italiane rinovimi është pranë. Në verë mbrojtësit i përfundon kontrata dhe tek Atalanta duan që futbollisti i kombëtares shqiptare të mbetet nën urdhrat e Gasperinit.
Lojtari 25-vjeçar ka debutuar në Serie A që në vitin 2016, ndërkohë që më pas u huazua tek Avelino (35 ndeshje, asnjëherë i zëvendësuar) në Serie B dhe vjet u aktivizua në elitën e futbollit italian me Beneventon. Edhe aty i luajti 30 ndeshje të plota.

Sivjet tek Atalanta e nisi si titullar në tre ndeshjet e para. Më pas pati një pauzë, për të ardhur te ndeshja e fundit kundër Interit. Tanimë për Gjimshitin është gati kontrata e re dhe i takon atij të vendosë se ku dëshiron të luajë sezonin e ri futbollistik./sport-ekspres/