Zllatan Ibrahimoviç do të rikthehet në Itali për të përmbyllur sezonin me ngjyrat e Milanit, megjithatë e ardhmja e tij me kuqezinjtë është në dyshim. Suedezi nuk e ka pranuar për asnjë moment se do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm, por është shprehur se duhet ta mendojë vendimin.

Këto kohë që kampionati ishte i ndërprerë prej koronavirusit, 38-vjeçari u rikthye në vendlindjen e tij dhe u stërvit me klubin e Hamarbi, ku disponon edhe një pjesë të aksioneve.

Mirëpo, stërvitja me klubin e Hamarbi mund të ketë hapur edhe një skenar për të ardhmen. Së fundmi, drejtori sportiv i klubit suedez e pranon se e ardhmja e sulmuesit mund të jetë aty.

“A do ai të luajë këtu? Me shumë mundësi, mendoj se po. Por, të vërtetën e di vetëm Zllatan. Sigurisht, ne e duam dhe do të ishte një operacion i cili do të më çmendte. Fakti që këto ditë ai është stërvitur me ne, na ka sjellë shumë përfitime.

Na ka lejuar të jemi në titujt e mediave në botë. Këtu nuk ishte e lehtë të motivonim futbollistët, por me arritjen e Zllatan gjithçka ndryshoi”, u shpreh drejtori Jesper Janson. /VipSport/