Në nëntor, kombëtarja jonë kuqezi do të luajë një ndeshje miqësore me 4 herë kampionët e Botës, të cilët nuk do të kenë mundësinë të jenë në “Katar 2022”, pasi i eliminoi fqinji ynë jugor, Maqedonia e Veriut, në duelet e “play off”-it.

Pra, bëhet fjalë për një miqësore luksi me Italinë, e cila do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar, konkretisht në “Arena Kombëtare”. Këtë fakt e ka bërë të ditur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për “Euronews Albania”:

“Ne kemi përcaktuar një ndeshje miqësore në nëntor kundër Italisë. Nuk kemi fiksuar datën, 16 ose 19 nëntor në Tiranë. Është hera e dytë që ne luajmë një miqësore me Italinë, pas asaj në Xhenova. Në Tiranë është hera e parë.

Është një ndeshje vërtet e bukur, sepse pavarësisht se Italia nuk është pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror, mbetet një skuadër e madhe, të cilën shqiptarët kanë dëshirë ta shohin”.

Nuk mund të evitonte edhe çështjen e basteve Duka, si një nag lobuesit e mqëdhenj pranë kryeministrit Edi Rama për hapjen e tyre online: “Fakti është që bastet sportive në Shqipëri luhen dhe nuk është iniciativa jonë për të hapur bastet në Shqipëri.

Ajo që kemi kërkuar, përderisa jemi para një fakti, një aktiviteti të paligjshëm, pa taksa, pse mos të jenë ligjore, të legalizohen. Një pjesë e tyre të shkojnë për një të mirë publike, sikurse është sporti.

Për ne është mirë që të marrim një pjesë e të ardhurave. Kur jemi para faktit që ky aktivitet ekziston, padyshim që jam insistues që futbolli të marrë pjesë të të ardhurave”.