Juventus ka fituar një pikë në mbrojtjen kundër Federatës Italiane të Futbollit, me këta të fundit që në bazë të drejtësisë sportive i hoqën 15 pikë nga renditja e Serie A bardhezinjve për shkak të “plusvalencave” dhe hetimit tatimor për bilancet financiare. Një dokument mund t’u rikthejë pikët bardhezinjve, me avokatët e “Zonjës” që duhet të provojnë gjithçka në Apel.

Vendimi ka dalë sot nga Gjykata Administrative e Lazios, e cila ka bërë të ditur se në aktet e procesit duhet përfshirë edhe një dokument që përmban kërkesën e organit të konkurrencës (Covisoc) nga lindi hetimi, ndaj prokurorisë sportive rreth penalizimit apo jo të mundshëm të bardhezinjve dhe klubeve të tjera të bazuar mbi rregulloret në fuqi.

Dokumenti, i cili është pranuar nga Gjykata Administrative dhe duhet të futet në aktet e çështjes së dënimit të Juventusit, është përdorur nga bardhezinjtë si arma më e fortë e tyre në procesin e mëparshëm rreth plusvalencave. Në atë rast, shpjegohej se nuk kishte një penalizim sportiv dhe sipas dokumentit në fjalë, pas datës 14 korrik 2021 nuk mund të kishte më dënim për bardhezinjtë rreth kësaj teme.

Te Juventus pretendojnë se gjithçka bën të pavlefshëm vendimin që doli rreth dy muaj më parë dhe shënoi zbritjen e tyre në renditjen e Serisë A me heqjen e 15 pikëve. Gjithçka duhet të konfirmohet para Gjykatës së Komitetit Olimpik që do të përcaktojë vijimësinë e kësaj çështjeje në Apel.