Ka ardhur koha që, pas shumë vitesh eksperimentesh me Veleçikun, të bëhet një analizë e thellë e situatës së klubit. Presidenti Tonin Marinaj, Bashkia Malësi e Madhe dhe Këshilli Bashkiak kanë detyrimin t’u japin llogari qytetarëve për mënyrën se si janë administruar fondet publike dhe për gjendjen sportive të ekipit.
Veleçiku, një klub me histori që dikur konsiderohej ndër më të rëndësishmit në Qarkun e Shkodrës, sot ndodhet në Kategorinë e Dytë. Klubi u rendit i shtati në Grupin A në sezonin 2025–26. Është momenti të kërkohet transparencë për investimet në infrastrukturë. Në të kaluarën pati bashkëpunime me FSHF-në për projekte infrastrukturore, ndërsa sot dihet se FSHF vazhdon të investojë në impiante sportive në bashkëpunim me bashkitë, aty ku ka koordinim institucional.
Mendoj se duhet një frymë e re edhe në aspektin sportiv. Nëse drejtuesit vlerësojnë se rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm, atëherë është koha të shqyrtohen alternativa të reja në pankinë dhe t’u jepet mundësi trajnerëve të licencuar e profesionistëve nga Malësia e Madhe, si Admir Hysaj, Ersil Ymeri apo emra të tjerë që kanë kontribuar në futboll.
Malësia e Madhe ka nxjerrë futbollistë që kanë bërë krenar gjithë Shqipërinë, si Hysaj, Broja, Mitaj, Çokaj dhe Ramaj. Pikërisht për këtë arsye, Veleçiku meriton më shumë. Ky nuk është një sulm ndaj askujt, por një thirrje për reflektim, transparencë dhe bashkëpunim, në mënyrë që Veleçiku të rikthehet aty ku e meriton.


