Zyrat e Barcelonës kanë qenë aktive ditën e sotme, duke qenë se pak orë më parë rinovoi trajneri Ernesto Valverde, ndërkohë që pak minuta më parë ka ardhur një tjetër rinovim. Këtë radhë bëhet fjalë për një rinovim që është jo pak i bujshëm në Shqipëri dhe jo vetëm.

Sulmuesi shqiptar, Labinot Kabashi ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me Barcelonën dhe do të jetë pjesë e blaugranave deri në verën e vitit 2021 dhe kryesia e Barcelonës e sheh si një sulmues me shumë të ardhme.

Këtë e fakton edhe vetë klauzola e lartë që klubi i ka vënë sulmuesit. Aktualisht, ai luan me skuadrën e të rinjve të Barcelonës dhe një klub që kërkon shërbimet e tij, duhet të paguajë një klauzolë që arrin në 40 milionë euro.

Por, në kontratën e Kabashit ka edhe një pikë tjetër. Në momentin që ai do të bëhet pjesë e skuadrës së parë të Barcelonës, klauzola ndryshon automatikisht dhe nga 40 milionë euro do të arrijë në 100 milionë euro, afërsisht aq sa e ka edhe sulmuesi më i komentuar i momentit Mauro Ikardi (110 milionë).

Kabashi i cilin pas pak ditësh mbush 19 vjeç, ka zgjedhur të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës, megjithëse ka edhe nënshtetësi finlandeze. Ai ishte pjesë e Kosovës në eliminatoret e Botërorit të kaluar megjithëse vetëm 16 vjeç. /VipSport
/