Dy mungesa të rëndësishme pritet që të ketë Vllaznia në ndeshjen e së shtunës për kampionat me Vorën. Përveç kapitenit Gilman Lika që vazhdon të jetë i dëmtuar prej ndeshjes së kupës me Kamzës, prej dy ditësh i dëmtuar është edhe mbrojtësi Renato Malota.

Ai ka ndjerë shqetësime në gjurin e djathtë dhe për këtë arsye nuk është stërvitur me grupin. Me shumë të ngjarë mbrojtësi lezhjan pritet të mos luajë në takimin e rradhës, megjithëse vendimin përfundimtar për këtë do ta japë stafi mjekësor pasi të bëjë edhe njëherë tjetër ekzaminimet e tij.

Por ndërkohë trajneri Lika pavarësisht këtyre problemeve, e ka përgatitur skuadrën për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë. Pavarësisht se luhet në transfertë, kuqeblutë do të tentojnë vetëm marrjen e trepikëshit sepse vetëm kështu mund të ruajnë distancën me ndjekësit më të afërt. Mbetet për t’u parë se si do të ndërtojë formacionin tashmë me të cilin do ta nisë takimin nga minuta e parë Vllaznia.

Në mbrojtje mbetet për t’u parë nëse do vazhdohet të luhet me tre mbrojtës apo do të rikthehet me katër. Nëse ndodh e para atëherë në vend të Malotës do të jetë Marku. Sakaq në mesfushë, në vendin e kapitenit Lika do të luajë përsëri Arsid Kruja.

Pjesa tjetër e lojtarëve do të jenë ata që kanë luajtur edhe në ndeshjet e kaluara duke filluar nga portieri Sherri, për të vazhduar me Gurishtën, Zeqaj, Ignat e Gocajn. Në mesfushë do jenë Krymi, Tafili, Hajdari e Kruja ndërkoë që në sulm do të luajë braziliani Zhunior.

Pavarësisht se në pamje të parë konsiderohet e lehtë sfida me Vorën, në kampin shkodran e kanë vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje prej të cilët duhet të marrë patjetër trepikëshin.