Tashmë nuk ka dyshime. Mirdita është zyrtarisht në Kategorinë e Dytë në futbollin shqiptar. Skuadra veriore kaloi me sukses edhe testin e parafundit në Kategorinë e Tretë, teksa mposhti 5-2 Osumin.

Një takim spektakolar ai i zhvilluar në Kamzë, me pjesën e parë që dhuroi plot 5 gola. Pepkolaj e Gjoka ishin autor të një dopietë, ndërkohë që rrjeta e Pjetrit vulosi rezultatin në 5-2.

Në ndeshjen e fundit, Mirdita do të masë forcat me Selenicën e vendit të parë, që gjithashtu ngjitet një kategori më larg. Në rast të një fitoreje eventuale të Mirditës, që deri në këtë pikë shkon pa asnjë humbje, djemtë nga Rrësheni do të ngjiteshin në krye të klasifikimit me 22 pikë.

Kujtojmë që skuadra mirditore në fushën e blertë ka regjistruar 8 fitore dhe vetëm një barazim, por një shkelje në kodin e ndeshjes e penalizoi me humbje në tavolinë 3-0 ndaj Selenicës si dhe me heqjen e 3 pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm./newsport/