Humbja me Tiranën, ka vendosur pikëpyetje të shumta lidhur me të ardhmen aktuale të trajnerit të Vllaznisë, Thomas Brdariç. Skuadra ka humbur shumë nga tiparet e saj sportive, ekipi nuk po jep rendiment dhe për pasojë, Vllaznia po rrëshqet në klasifikim.

Megjithatë, ai që ndihet më në siklet te kampi kuqeblu, duket vetë trajneri gjermano-kroat, teksa pozicioni i tij ishte në pozita më të vështira se kurrë, konfirmuar edhe nga deklarata e presidentit Alban Xhaferi pas ndeshjes.

Pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, momenti i intervistës së Thomas Brdariç për mediat, ka bërë xhiron e rrjeteve. Trajneri kuqeblu, në momentin kur është pyetur nëse ndihet i rrezikuar, kreu një gjest agresiv, duke u larguar nga konferenca dhe më pas duke shtyrë edhe mikrofonat.

Qartazi demostrim pakënaqësie dhe presioni që ai mund të ketë, por fundja fajin nuk ia kanë gazetarët.
Megjithatë sot nuk duket se ka patur zhvillime të reja tek Vllaznia. Skuadra shkodrane ka zhvilluar seancën e rradhës, teksa ata që kanë luajtur, kanë qenë në rigjenerim, ndërsa të tjerët në palestër.

Mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim nëse do të ketë ndonjë zhvillim, megjithatë gjasat janë të pakta, teksa ekipi i Vllaznisë pritet t’u rikthehet seancave stërvitore të martën dhe në krye të proçesit stërvitor, pritet të jetë Thomas Brdariç.
Maringlen ZHIVANI