Timo Verner ka vendosur që e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë te RB Lajpcig, edhe pse ai ndiqej me interes nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Sulmuesi i cili shkëlqeu me fanellën e kësaj skuadre dhe arriti të bëhej që në moshë të re pjesë e Gjermanisë, ka vendosur që të rinovojë kontratën e tij me kubin ku u bë i famshëm dhe fitoi edhe përfaqësuesen gjermane.

Lojtari përflitej prej kohësh se kërkohej nga Bajern Mynih, Borusia Dortmund dhe Real Madrid, sa për të përmendur disa emra mes atyre që admironin cilësitë e lojtarit dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një sezon ku ai ka shënuar 10 gola në 17 ndeshje.

Por “Bild” raporton se ai ka rënë dakord që të rinovojë marrëveshjen që i përfundonte në verën 2020, duke e zgjatur deri në qershorin e 2023. Kësisoj, 22-vjeçari do të mbetet pjesë e Lajpcig dhe kjo me siguri nuk do ta ndihmojë që të përmirësojë pak imazhin e tij.

Dy vite më parë, për shkak të një simulimi në zonën kundërshtare, ai u kthye në “armikun” e çdo tifozerie në Gjermani. Ndaj shpesh, edhe në ndeshjet e kombëtares gjermane në stadium dëgjohen koret “Timo Verner është bir k…” për shkak të atij incidenti, ndonëse trajneri Lëv apo edhe drejtues të tjerë të federatës u janë lutur tifozëve të mos i krijojnë më stres futbollistit të ri. /vipsport/