Shkruar nga Gjergj KOLA
Flamurtari në basketboll për femra është shpallur sot sërish kampion i Shqipërisë. Ai ka mundur edhe në finalen e tretë ekipin e Partizanit dhe në këtë mënyrë me rezultatin 3-0 të këtyre ndeshjeve, është kurorëzuar me titullin kampion të rradhës.
Skuadra e drejtuar nga Elona Hasanaj nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren, duke dominuar totalisht në finalen e tretë, të cilën e mori në shifrat 76-55. Një sukses mëse i merituar i saj dhe ajo që duhet përmendur është se pjesë e këtij suksesi është edhe basketbollistja shkodrane Bernada Rreshpja.
Madje, për të është i dyti vit rradhazi që shpallet kampione e Shqipërisë me ekipin e Flamurtarit. Edhe këtë herë ajo e nisi sezonin me Vllazninë, por pas mbylljes së kampionatit të rregullt, kur dhe ekipi shkodran mbeti jashtë zonës play-off, atëherë Rreshpja pranoi ofertën e Flamurtarit për t’u bërë pjesë e tij.
Një ofertë që erdhi nga vlerësimi që stafi teknik ka për këtë basketbolliste dhe këtë e tregon edhe fakti se Rreshpja ishte e vetmja lojtare shqiptare në formacionin sot në finale ndaj Partizanit krahas 4 lojtareve amerikane. Dhe Bernada ua shpërbleu duke dhënë kontributin e saj në shpalljen sërish kampion të ekipit të Flamurtarit.
Kjo padyshim që është edhe një arritje në aspektin personal për basketbollisten shkodrane që kësisoj koleksionon dy tituj kampionë dhe kjo nuk është pak për njërën prej lojtareve më të mira të Shqipërisë këto vitet e fundit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


