Mbyllja e fazës së parë të kampionatit të Kategorisë së Dytë nuk ishte e duhura për Veleçikun, teksa këta të fundit barazuan në transfertën e Fushë-Krujës 0-0 me Ilirinë.
Pretendimet e koplikasve ishin që skuadra të bëjë diferencën në grupin A në këtë fazë të parë, por momentalisht ata renditen vetëm në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit me katër pikë larg Sopotit të Librazhdit që kryeson me 19-pikë.
Një gjë e tillë ka lënë padyshim të pakënaqur trajnerin Dritan Smajli, i cili vendosi madje në pikëpyetje edhe vazhdimësinë e tij në krye të Veleçikut. Megjithatë, tashmë nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se Smajli do të vijojë punën në krye të drejtimit të skuadrës koplikase.
Fillimisht, trajneri lezhjan, së bashku edhe me dy ndihmësit e tij të stafit teknik, Alket Kruja dhe Edvin Hoxha nuk u paraqitën në seancën stërvitore në fillim të javës, ç’ka solli edhe dilemat e para për vazhdimësinë e drejtimit nga ky staf.
Megjithatë, tashmë duket se pas një bisede kokë më kokë me kryebashkiakun Tonin Marinaj, që është edhe president i ekipit, Dritan Smajli do të vijojë sërish punën në krye të drejtimit të skuadrës së Veleçikut, për të realizuar objektivin e ngjitjes në Kategorinë e Parë.
Kujtojmë këtu se, pjesë e ekipit koplikas janë edhe emra të spikatur që kanë luajtur në Superiore me Vllazninë vite më parë, siç janë Florind Bardulla, Arsen Hajdari dhe Arenc Dibra.
Tashmë, Veleçiku duhet të mobilizohet maksimalisht në fushën e lojës për vazhdimësinë e kampionatit, në mënyrë për të realizuar objektivin e vetëm që kanë, atë të ngjitjes në Kategorinë e Parë.
Maringlen ZHIVANI