Dëmtimet në javët e fundit kanë prishur jo pak planet e trajnerit të Vllaznisë, Migen Memelli. Fitorja ndaj Kukësit në javën e parë përkoi sërish me një problematikë, pasi u dëmtua qendërmbrojtësi Marko Juriç dhe tashmë do të qëndrojë tri javë jashtë fushave.
Duke llogaritur këtu edhe mungesën e mesfushorit Ardit Krymi për shkak dëmtimi, numri i të pamundurve shkon në dy, por për fat të mirë Cheshmedjiev e ka kaluar problemin shëndetësor dhe nesër do jetë në fushë.
TITULLARËT – Me Qarrin të sigurt në portë, mbrojtja me katër do të përbëhet nga Smajli në të djathtë dhe Hakajn e rikthyer titullar në krahun e majtë. Në qendër do të luajë Stojanoviç dhe Cheshmedjiev do të jetë në krah të tij.
Në mesfushë pritet të rikthehet titullar Alivoda, ndërsa Boshnjaku dhe Mala do të formojnë pjesën tjetër, me këtë të fundit të spostuar disi më afër sulmit. Nga krahët e repartit ofensiv Memelli pritet t’u besojë sërish Grudës dhe Dodevit, por një alternativë serioze është edhe Çoba.
Në majën e sulmit do të jetë Bekim Balaj, ndërsa tashmë për këtë pozicion i shtohet si alternativë trajnerit Memelli edhe afrimi më i fundit, braziliani Gomes.