Vllaznia do të luajë pasditën e sotme ndaj Laçit në “Loro Boriçi” për ndeshjen e javës së 35-të të Abissnet Superiore. Ky takim do të jetë tepër vendimtar për të dyja ekipet, të cilat janë në luftë për vendin e katërt, vend ky që të çon në Kupat e Europës.

Kuqeblutë vijnë pas humbjes 2-1 ndaj Partizanit, ndërsa edhe Laçi vjen po pas një humbjeje 1-3 me Tiranën, në fundjavë. Ndërkohë, sa i takon 11-shes së Vllaznisë, trajneri Goçe Sedloski pritet të luajë me skemën 4-4-2 në sfidën ndaj skuadrës së Laçit.

Kështu, trajneri i Vllaznisë, Sedloski, do të luajë me Zogoviç në portë. Më pas, me Krujën, Shehin, Juriç dhe Hakajn. Në mesfushë, Hoxhaj, Jonuzi, Marku dhe Latifi do të mbështesin në sulm dyshen Çoba-Balaj.

Gjithsesi, saktësisht duhet pritur deri rreth një orë përpara ndeshjes për të parë se si do të jetë skuadra shkodrane në fushën e lojës, atëherë kur stafi i Vllaznisë do të dorëzojë protokollin për të mësuar zyrtarisht formacionin e sotshëm. Megjithatë, gjasat janë që formacioni i kuqebluve sot ndaj kurbinasve do të jetë ky, pra me skemën që ndryshon dhe bëhet më sulmuese, teksa kalon nga 4-2-3-1 në një 4-4-2.

Ndërkohë, ndeshja Vllaznia-Laçi do të luhet pasditën e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e OverSport në platformën TIBO, nën komentin e komentatorit Gentjan Alinani. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-4-2): Zogoviç, Kruja, Shehi, Juriç, Hakaj, Hoxhaj, Jonuzi, Marku, Latifi, Çoba, Balaj Tr: Goçe Sedloski