Tuesday, February 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREE FUNDIT/ Tirana nuk gjen qetësi...!, Nuhiju drejt largimit, Orges Shehi 'në...

E FUNDIT/ Tirana nuk gjen qetësi…!, Nuhiju drejt largimit, Orges Shehi ‘në derë’

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Humbja 2-0 ndaj Partizani në derbin e kryeqytetit ka rikthyer tensionin në kampin bardheblu dhe ka vënë seriozisht në diskutim të ardhmen e trajnerit Ardian Nuhiu. Disfata në “Air Albania” duket se ka lëkundur jo pak pozitat e timonierit, ndërsa në ambientet e klubit po flitet hapur për një mundësi ndryshimi në pankinë.

Objektivi i drejtuesve është i qartë: qëndrimi me çdo kusht në elitë. Për këtë arsye, burime pranë klubit bëjnë me dije se nuk do të ketë më tolerancë ndaj rezultateve negative, çka e bën situatën e Nuhiut edhe më delikate në ditët në vijim.

Në këtë panoramë ka nisur të qarkullojë një emër i njohur për tifozët bardheblu: Orges Shehi. Ish-tekniku i kryeqytetasve mbetet një figurë e vlerësuar, pasi në sezonin 2021-2022 arriti të shpallë ekipin kampion, ndërsa një vit më pas fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, duke lënë gjurmë të forta në historinë e fundit të klubit.

Fakti që Shehi njeh mirë ambientin dhe ka provuar suksesin në drejtimin e skuadrës e bën atë një kandidat potencial për të marrë drejtimin në rast të një largimi të Nuhiut. Jo rastësisht, tekniku ishte i pranishëm në tribunën qendrore të “Air Albania” gjatë derbit të së dielës, një detaj që ka shtuar edhe më shumë zërat për një rikthim të mundshëm në pankinën bardheblu.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e stolit, ndërsa klubi duket i vendosur të marrë vendime të forta për të shmangur një sezon zhgënjyes.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments