Sfida që do të luajë Vllaznia mbrëmjen e nesërme kundër ekipit të Kukësit, është shumë e rëndësishme për të marrë fitoren e parë këtë sezon. Në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë do të synojnë vetëm triumfin, për të marrë trepikëshin e parë përpara tifozëve të tyre.

Ndërkohë, ashtu siç e pohoi edhe vetë trajneri Mirel Josa në konferencën e sotme për shtyp, në formacion priten ndryshime. Tekniku 59-vjeçar do t’i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion, teksa pritet që edhe afrimi më i fundit, Esat Mala, të jetë titullar në sfidën ndaj Kukësit.

Në portë do të jetë si gjithmonë gardiani i skuadrës, Bojan Zogoviç, ndërsa në mbrojtje, me rikthimin e Bulatoviç nga dëmtimi, malazezi do të marrë vendin e Shehit në qendër, ku pjesa tjetër e prapavijës nuk pritet të ketë asnjë ndryshim. Kapiteni Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj do të kenë detyrën të ndalojnë sulmet e Kukësit.

Në mesfushë, Boshnjaku do të rreshtohet përpara mbrojtjes si ekran, ndërsa Jonuzi dhe Marku do të jenë ata që do të shërbejnë topa për treshen e sulmit, e cila do të jetë me Malën dhe Latifin në krahë dhe Kaina Nunesh në majë.

Ndeshja Vllaznia-Kukësi do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 19:30 për llogari të javës së dytë të Abissnet Superiore, teksa do të transmetohet direkt në kanalet e platformës “OverSport” dhe nga RTSH. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku (Heriç), Mala, Latifi, Kaina Nunesh Tr: Mirel Josa