Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë të dielën me Vllazninë në “Loro Boriçi”.

Trajneri Skënder Gega është i fokusuar për të pasur në fushë kontingjentin më të mirë që ka në dispozicion, ndonëse është i privuar nga disa mungesa, më e rëndësishmja ajo e Dacit, pasi ka lënë “zbuluar” majën e sulmit.

Megjithatë, “halli” më i madh janë pikërisht afrimet e fundit të merkatos së verës, siç është rasti i ganezit, Giasi, apo anglezit Lejton, të cilët kanë aftësi shumë të mira teknike, por ende nuk janë në kondicionin e duhur fizik për të qenë gati nga minuta e parë.

Megjithatë, deri në fund, tekniku do të shpresojë t’i ketë në maksimum dhe t’i hedhë në fushë si titullarë, ndonëse koha nuk është në favor të tij.

Ndërkohë, lajmi i mirë është që ditët e fundit është rikthyer me ekipin edhe mesfushori Shqiprim Taipi, i cili vuante nga një dëmtim në këmbë që nga sezoni i kaluar.

Gjithsesi, për sfidën ndaj shkodranëve gjasat janë që ta nisë nga stoli dhe të jetë një alternativë për pjesën e dytë.

MANOVRAT – Duke qenë se Kukësi luan në transfertë dhe ka jo pak probleme me mungesat, pritet që të tregohet i kujdesshëm në prapavijë, duke mbrojtur në bllok dhe tentuar më shumë të zërë në befasi me anë të kundërsulmit shkodranët.

Lojtarëve u është bërë e qartë gjatë javës në seancat stërvitore se duhet të zbatojnë mirë detyrat dhe të mos kalojnë në aventura, pasi mund të sjellin ndëshkimin e skuadrës.

Për këtë arsye, Kukësi shpreson më së shumti në këtë ndeshje te kundërsulmi dhe një mbrojtje “bunker”, ndërsa mesfushorët do të kenë detyrën të ndërpresin aksionet e kundërshtarëve që në nisje.

PRESIONI – Në të tilla ndeshje presioni është i madhdhe pikërisht Kukësi pritet tëluajë edhe me këtë “kartë” nëShkodër.

Verilindorët synojnë ta kalojnë të gjithë presionin në kampin kundërshtar, për vetë faktin se luajnë në “Loro Boriçi” dhe për verilindorët një barazim edhe mund t’i linte të kënaqur, pasi bëhet fjalë për javët e para dhe kërkojnë të fitojnë kohë për të kolauduar skuadrën.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shkodranët, ku pas humbjes në start me Erzenin, duan patjetër fitoren në shtëpi.

Nga ana tjetër, shpesh Kukësi ka treguar paraqitje mira në Shkodër, ku spikat ajo e para dy viteve ku fituan me rezultatin 4-2.