Manchester United ndaj Southampton siguroi fitoren e dytë rresht në Premier League. Djajtë fituan minimalisht në transfertë, ku Bruno Fernandes rezultoi të ishte vendimtar me golin e tij.
Pas kësaj fitoreje duket se tashmë në “Old Trafford” është rikthyer entuziazmi dhe harmonia. Edhe trajneri Erik Ten Hag është i këtij mendimi, ndërsa thekson se nëse një skuadre i mungojnë karakteri dhe shpirti i garës nuk mund të fitojë dot asgjë, atëherë është e kotë të flasësh për filozofi dhe taktika.
“Një skuadër duhet të adaptohet dhe të gjejë një mënyrë si të fitojë ndeshjet. Këtë bëmë më së miri ndaj Southampton. Në këtë aspekt vuajtëm në dy ndeshjet e para, veçanërisht në atë ndaj Brentford. Kur një ekip nuk jep 100% në fushë dhe nuk ka karakter apo shpirt gare, atëherë është e kotë të flasim për filozofi apo taktika. Në fillim duhet të jetë shpirti i skuadrës dhe përkushtimi në 100%.
Nga ana tjetër, Ten Hag lë të hapur mundësinë e largimit të Cristiano Ronaldos në këtë merkato teksa shton se nuk e di të ardhmen e luzitanit. “Nuk mund të them se Ronaldo do të qëndrojë, ne do të jemi të vëmendshëm në merkato deri në sekondat e fundit të saj. Nëse do të kemi mundësi të firmosim me ndonjë lojtar, atëherë do të godasim”, përfundoi Ten Hag.