Nëntëdhjetë minuta nga arritja e madhe, por me një problem fizik që mund ta bëjë të humbasë ndeshjen e fundit të kampionatit, Jude Bellingham ndoshta po jeton orët e fundit si lojtar i Borussia Dortmund-it.

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, në fakt pritet vetëm e shtuna kur kampionati gjerman do të mbyllet me Borussia të angazhuar për të ruajtur avantazhin prej dy pikësh ndaj Bayern Munichut për t’u bërë kampione e Gjermanisë.

Njoftimi për transferimin e mesfushorit anglez te Real Madrid mund të vijë më vonë.

Sipas “Marca”, në fakt, drejtuesit e Real Madrid duket se kanë qenë në Dortmund ditët e fundit për të hedhur në letër një parim marrëveshjeje që do të përcaktohet në ditët në vijim dhe që parashikon një kontratë gjashtëvjeçare për lojtarin dhe 100 milionë euro (plus bonuse të lidhura me rezultatet dhe paraqitjet) të cilat do të derdhen në arkën e klubit gjerman.

“Marca” nënvizoi se Bellingham dhe Borussia po studionin edhe oferta ekonomikisht më të favorshme, por vullneti i lojtarit do të kishte qenë vendimtar.

Ashtu siç ndodhi në merkaton e kaluar të verës me Camavinga dhe Tchouameni, Real Madridi është vënë në lëvizje muaj më parë, me synimin për të pasur më shumë kohë për të bindur klubin dhe lojtarin.

Bellingham do të largohej nga Borussia Dortmund me 42 ndeshje të luajtura në këtë sezon, me 14 gola dhe 5 asiste.