Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u rikthye tek fitorja në kampionat në javën e 33-të të Superiores. Shkodranët pas disa ditëve të “nxehta”, ku pati edhe ndryshime në stol, u rikthyen tek qetësia. Kjo duke mposhtur në transfertë ekipin e Egnatias. Ku një gol i Smajlit i dha fitoren kuqebluve kundër Egnatias në transfertë.

Ajo çfarë ishte e rëndësishme kundër rrogozhinasve është fakti që Vllaznia nuk pësoi gol. Kristi Qarri e rriti në 13 ndeshje pa pësuar gol statistikën e tij personale. Ku në 33 ndeshje të këtij edicioni, asnjë portier nuk e ka mbajtur portën e paprekur në kaq shumë ndeshje sa gardiani i shkodranëve.

Po ashtu, mbrojtja e Vllaznisë konfirmohet si më e mira e kampionatit. Së bashku me Partizanin, 9 herë kampionët e vendit kanë pësuar më pak gola se të gjitha skuadrat. Si kryeqytetasit ashtu edhe kuqeblutë kanë nxjerrë topin nga rrjeta 29 herë në 33 javë kampionat. Duke treguar kështu një stabilitet përsa i përket repartit të prapavijës.

Dhe në një moment ku kampionati po shkon drejt fundit dhe ku në horizont janë ndeshjet e “final 4”, e rëndësishme për skuadrën është të mos pësojë gola. Që patjetër do i garantonte kuqebluve një mbyllje të suksesshme të sezonit në epilogun e tij./www.shkodrasport.com/