Nga Endri ÇINARI

Bekim Balaj do jetë mungesa e madhe e Vllaznisë në ndeshjen e rradhës ndaj Laçit. Sulmuesi plotësoi numërin e kartonave të verdhë kundër Partizanit. Dhe në këtë mënyrë nuk do jetë në fushë ditën e shtunë kundër kurbinasve. Duke lënë një boshllëk të madh në vijën sulmuese.

Shtatlarti ka qenë njeriu kryesor i golit këtë sezon tek Vllaznia, por edhe në Superiore. Sepse në kuotën e 8 rrjetave pas 12 javësh, më shumë se 32-vjeçari ka shënuar vetëm Dwamena me 9 gola. Por golat e ish-sulmuesit të Akhmat kanë ardhur thuajse të gjithë nga goditjet standarte.

Duke konfirmuar kështu një armë plus të kapitenit të shkodranëve. Kështu goli i shënuar kundër Partizanit ditën e hënë nga goditja e dënimit ishte i dyti për Balajn këtë sezon nga ai pozicion. Më parë numëri 9 kishte shënuar edhe kundër Erzenit nga një goditje thuajse e tillë.

5 gola të tjerë të shkodranit kanë ardhur nga penalltia, duke qenë kështu një rekord në Superiore deri më tani. Ku saktësia është 100% nga këmbët e sulmuesit. Një gol është shënuar me aksion, ku ka qenë rrjeta kundër Teutës me kokë në fitoren 2-0 të kuqebluve. Në këtë mënyrë Balaj konfirmohet si njeriu i goditjeve standarte dhe zëvendësimi i tij për sfidën ndaj Laçit do jetë një “dhimbje koke” për stafin teknik.