Kishte shpresë se ndonjëri nga të dëmtuarit mund të rikuperohej për sfidën e rradhës, por mesa duket nuk do të ndodhë kështu. Një gjë e tillë është konfirmuar ditën e djeshme nga vetë klubi shkodran përmes faqes së tij zyrtare kur bënte të ditur se mesfushori Ramadani dhe sulmuesi Hristov nuk kanë qenë në stërvitje me ekipin pasi janë duke punuar me stafin mjekësor për rikuperimin e dëmtimeve që ato kanë.
Kjo do të thotë se këta dy futbollistë do të mungojnë edhe këtë ndeshje. Për Ramadani i cili u largua i dëmtuar nga fusha e lojës në takimin ndaj Skënderbeut, sfida ndaj të kuqve të hënën do të jetë e dyta rradhazi që nuk do të jetë në dispozicion të stafit teknik.
Ndërkohë për sulmuesin maqedonas do të jetë sfida e tretë që nuk po luan pasi nuk ka qenë i gatshëm as për takimin ndaj korçarëve. Këtyre dy mungesave do t’i shtohet edhe ajo e mbrojtësit Herald Marku i cili është ndëshkuar me karton të verdhë dhe ka plotësuar numrin 4 të tyre duke qenë i skualifikuar për takimin e rradhës.
Por pavarësisht këtyre mungesave, objektivi i Vllaznisë për sfidën e së hënës në orën 18.00 ndaj Partizanit është një vetëm një: Fitorja. Kjo ngaqë kuqebluve “nuk u bën derman” asnjë rezultat tjetër për vetë pozitat ku ndodhen në tabelën e renditjes.
© shkodrasport.com