Ditën e nesërme në orën 13:00 Kukësi do të pres Kastriotin. Verilindorët do të kenë një sfidë direkte për mbijetesën me krutanët, të cilët nuk kanë se çfarë të humbasin. Përpara takimit trajneri i kuksianëve, Rraman Hallaçi foli para mediave mbi pritshmëritë e ndeshjes së nesërme. Për Hallaçin rëndësi ka që skuadra të jetë e kujdesshme si në fazën ofensive ashtu dhe difensive.

“Po bëjmë zgjidhje në stërvitje për të shënuar gola. Vllaznia iku, tani duhet të shohim përpara. Duhet të bëjmë me shumë kujdes para porte. Skuadra ka ardhur në ngritje.

Kundërshtari? I vlerësojmë të gjitha skuadrat njësoj. Kastrioti ka nevojë për pikët e veta por me afrimet e reja që po marrin formën e tyre, besoj do të na ndihmojnë për të dalë nga kjo situatë.

Zona e komfortit? Nuk është e lehtë të dalim direkt sepse duhet kohë. Nuk mundesh të shkosh në vendin e 4 për 3 ndeshje. Duhet durim dhe besim. Skuadra më përgjigjet dhe kuptohet që bëjmë ndryshime si me Vllazninë ku ishim pa sulmues të deklaruar. Portieri Halimi është cilësor dhe me vlera por gabime teknike ndodhin kudo. Kemi gabuar të gjithë jo vetëm Halimi.

Maksimumi i sezonit? Duhet të jemi brenda objektivit dhe objektivi është të shpëtojmë skuadrën sepse ka vite histori dhe investim.

Organika? I kemi të gjithë pa mungesa. Duhet ta theksoj që edhe kur mungon dikush, kemi të tjerë dhe nuk duhet të kemi justifikime. Prandaj është merkatoja”, ka përfunduar Hallaçi.