Dikur ishte një nga idhujt e tifozerisë së përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe vendoste rekorde me fanellën kuqezi. Por tani, tre vite pas herës së fundit kur ka veshur atë fanellë, ish-lojtari i përfaqësueses, në moshën 35-vjeçare është shumë pranë mbylljes së karrierës së tij në nivelet që i afrohen futbollit profesionist, duke përfunduar ne kategorinë e 6 gjermane.

Bëhet fjalë për sulmuesin Edmond Kapllani, një emër i cili që nga viti 2004, deri në vitin 2014, ka veshur 41 herë fanellën e përfaqësueses shqiptare të futbollit, duke shënuar 6 gola, 5 në vitin 2007 që asokohe përbënte një rekord.

Kapllani ka veshur fanellën kuqezi në fillimin e rrugëtimit të përfaqësueses drejt Euro 2016, por duke u ulur në pankinë dhe veshur për herë të fundit ato ngjyra në miqësoren e famshme ndaj Italisë në Xhenoa në vitin 2014. Që atëherë, ai nuk ishte më pjesë e saj, ndërsa hoqi dorë edhe nga shtetësia shqiptare për të marrë shtetësinë në Gjermani, ku luan dhe jeton prej disa vitesh.

Pas eksperiencave në elitën e futbollit gjerman me ekipe si Karlsruhe, Augsburg, TuS Koblenz, Paderborn dhe FSV Frankfurt, që nga viti 2016, Kapllani u bë pjesë e skuadrës së SV Elversberg në kategorinë e katërt gjermane, një klub që ka qendrën në zonën ku banon aktualisht 35-vjeçari me familjen e tij. Qartësisht një zgjedhje jete më shumë se karriere. Por edhe ky klub ka vendosur t’i japë lamtumirën sulmuesit shqiptar.

Meqenëse klubi ka menduar të bëjë spastrime gjatë janarit, Kapllani së fundmi është urdhëruar që të stërvitet me ekipin e dytë, me lojtarët U-21, të cilët gjenden në kategorinë e 6 gjermane. Tani Kapllanit i mbetet të pranojë dhe të mbyllë këtë sezon duke u stërvitur dhe luajtur me ta, apo të prishë kontratën që e lidh me SV Elversberg deri në fund të këtij sezoni. visport.al