Anulimi i golit të Ante Aralicës në ndeshjen Partizani – Vllaznia e mbyllur me shifrat 0-0 ka nxitur polemika të mëdha në vend. Sulmuesi i shkodranëve shënoi në minutën e 93-të, por pas konsultimit me dhomën e sistemit VAR, Olsid Ferataj e anuloi. Pikërisht për këtë moment ka reaguar dhe Shpëtim Gjika.

Ish-presidenti i klubit të Flamurtarit ironizon situatën e krijuar pikërisht nga arbitri i kolegjiumit të Fierit. Ai thekson se goli ishte i rregullt, por pas thirrjes së gjyqtarit nga VAR-i shpreh bindjen e plotë se do të anulohej. Në një koment me ish-lojtarin e Kombëtares, Roland Luçi, Gjika shkruan: “Skandaloz anulimi i golit! Gol më gol se ai gol nuk besoj se mund të ketë gol o Land”.

Më tej vazhdon: “E pashë live në televizor dhe ajo që më habiti ishte fakti që arbitri u thirr në VAR! Se më pas as nuk e diskutoja më që do ta anulonte se përndryshe nuk e thirrnin”. Në fund e mbyll duke ironizuar gjithë situatën e krijuar: “Nuk duhej të fitonte me çdo kusht Vllaznia sot.

Dhe arbitri kur shkoi në VAR, mbylli sytë dhe hapi kufjen! Nuk pa, por thjesht dëgjoi, pra nuk u anulua me VAR, por me AAR (Audio Assistent Referee)”, përfundon duke qeshur ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika./newsport/