Fushata e suksesshme eliminatore dhe kualifikimi për në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” e ka bërë Kombëtaren shqiptare më tërheqëse në këndvështrimin komercial. Kreu i FSHF-së Armand Duka, në një intervistë për “Monitor” analizon efektet komerciale të këtij suksesi.

PIKËPAMJA KOMERCIALE- “Ndikimi është në maksimumin pozitiv. Është një ligj i vjetër (i pashkruar) në marketingun sportiv, siç na ka mësuar më tej edhe përvoja e Europianit 2016: Skuadra që fiton, shet, madje dhe me lehtësi. Ajo që ka qenë e veçantë kësaj radhe është që Kombëtarja u rrit dukshëm, në performancë dhe rezultate, ndeshje pas ndeshjeje. Në këto kushte është e natyrshme që njerëzit të duan të vijnë në stadium, të blejnë bluza apo të ndjekin Kombëtaren dhe lojtarët në televizor, por edhe në mediat sociale”.

PËRFITIMET- “Sigurisht, që ne presim të mësojmë zyrtarisht shpërblimin që UEFA do të na caktojë për kualifikimin, në një kohë që UEFA jep shpërblim edhe për fitoret në vazhdim. Ndërkaq, të ardhurat e tjera, që janë direkte edhe ato, por nga të tjera burime janë për t’u llogaritur në potencial në këtë moment, pasi duhet parë si do të reagojë tregu në numra. Mund të bëjmë ama parashikime mbi këtë dhe të flasim për objektiva.

Federata gjeneron mesatarisht çdo sezon të ardhura të caktuara, siç janë edhe kontratat sipas sezoneve kualifikuese. Objektivi ynë është që këto të ardhura të dyfishohen në periudhën që na paraprin. Të ardhura të tjera do të vijnë nga përqindjet që do të fitohen nga bluzat që do të shesë kompania Macron, si dhe nga kontrata të reja që do të lidhen, nga rritja e biletave të shitura.

Ajo që duhet të kemi parasysh këtu është që në një kompeticion të madh siç është “Euro 2024”, edhe shpenzimet janë të konsiderueshme, të paimagjinueshme për tregun tonë. Mund t’ju them se një pjesë e mirë e shpërblimeve që marrim nga kualifikimi do të përdoren pikërisht për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në turne”.

SHITJET E BLUZAVE- “Në vite të ndryshme ka të ardhura të ndryshme. Bluzat, për shembull, përfshirë edhe veshjet e tjera të Kombëtares, që janë produkti më i natyrshëm dhe i preferuar i tifozëve, arrijnë nivele të larta, edhe mbi 50.000 bluza në 2016-n në vetëm pak muaj, por mund të jenë edhe vetëm disa mijë të tilla, tha ndër të tjera Duka.