Vllaznia do udhëtojë drejt Tiranës këtë fundjavë për tu ndeshur me Partizanin. Kuqeblutë do kenë një transfertë goxha të vështirë, kjo edhe nga momenti i mirë që po kalojnë të kuqtë.

Një ndeshje që garanton për një duel të fortë, kjo edhe për vetë historinë që mbartin këto dy skuadra. Në të dy krahët ka futbollistë që dinë të bëjnë diferencën.

Një ndër ta është Liridon Latifi. Fantazisti i Vllaznisë po kalon një moment të shkëlqyer forme, ku me 2 golat e tij në ndeshjen e fundit kundër Teutës, e dërgoi në 8 kuotën e tij personale në këtë sezon. Shto këtu edhe 5 asistet për shokët e skuadrës, e konfirmojnë kontributin e madh që ka pasur prishtinasi deri më tani për Vllazninë.

Patjetër që edhe në ndeshjen e fundjavës të gjithë presin që diferencën ta bëjë Latifi. Numri 7 ka shënuar edhe në fazën e dytë kundër Partizanit, në fitoren 1-0 të Vllaznisë në Shkodër. Po ashtu edhe kur mbante veshur fanellën e Skënderbeut, në sezonin 2014-15, 28-vjeçari shënoi në portën e Partizanit në një fitore 5-2 të korçarëve.

Lideri i kuqebluve tashmë duket qartë se është Liridon Latifi. E gjjthë sytë do jenë mbi të ish-futbollistin e Puskas Akademi dhe Sheriff Tiraspol, që edhe kësaj rradhe me klasin e tij të bëjë diferencën.

Endri ÇINARI