Tirana po shkon drejt titullit kampion, por njerëzit që e drejtojnë janë të gjithë kampionë të padiskutueshëm të vendit. Duke filluar nga Orges Shehi e deri te Kristi Vangjeli, anëtari i fundit i stafit që është bashkuar me bardheblutë. Gjithsej janë 38 trofe që katër drejtuesit e skuadrës kanë fituar bashkë në fushën e lojës. Kjo tregon se skuadra bardheblu nuk është rastësisht kampione, por janë drejtuesit që kanë në frymën e tyre fitoren.

ORGES SHEHI
Trajneri i Tiranës është një nga ata që trofetë i ka në ADN. Si portier, Shehi ka shtatë tituj kampionë, katër Kupa të Shqipërisë me Teutën, Besën dhe Skënderbeun dhe dy Superkupa. Orgesi ka gjithashtu edhe 1 Superkupë si trajner i Skënderbeut në edicionin 2018. Shehi është i vetmi që nuk ka luajtur jashtë vendit dhe ka numrin më të madh të ndeshjeve në Superiore.

TEFIK OSMANI
Drejtor teknik, në karrierën e tij ka fituar gjashtë tituj kampionë të Shqipërisë, ndonëse ka luajtur edhe jashtë Shqipërisë. Osmani në karrierën e tij ka fituar një titull me Elbasanin, dy me Tiranën, në sezonet 2008-’09, 2019-’20 dhe tre me Skënderbeun. Osmani gjithashtu ka fituar dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë me Tiranën dhe Skënderbeun.

kristi vangjeli

KRISTI VANGJELI
Mbrojtësi ka fituar me Skënderbeun tre tituj kampionë, ndërsa një kampionat e ka fituar me Tiranën dy sezone më parë. Lojtari gjithashtu ka fituar një Kupë të Shqipërisë dhe dy Superkupa, një shqiptare dhe një në kampionatin rumun me Astra Giurgiunë. Të mos harrojmë edhe paraqitjet me Kombëtaren.

ERBIM FAGU
Ndihmësi i parë i Shehit është një nga ata që titullin e ka shijuar shumë kohë më parë. Fagu është një nga lojtarët e Tiranës së famshme të 2004-ës që e mbylli sezonin me 84 pikë në 36 javë. Një rekord për Superioren. Fagu ka fituar gjithsej pesë tituj kampionë, sepse katër i ka fituar me Skënderbeun. Fagu ka dy Superkupa, një me Tiranën dhe një me korçarët si dhe një Kupë të Shqipërisë me Besën e Kavajës. Po kështu Alfred Osmani, trajneri i portierëve ka fituar Kupën e Shqipërisë si lojtar me Teutën.