Xhekson Kenio ndihet i rilindur në Rrogozhinë. Kjo aventurë ka nisur më së miri për brazilianin, aq sa do të ishte i gatshëm të refuzonte çdo ofertë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, autori i golit të parë në fitoren 2-0 me Tomorin shprehet:

“Gjeta golin e parë me Egnatian dhe shpresoj që të mos jetë i fundit. Dua që t’ia dedikoj familjes dhe gjithkujt që ka besuar te cilësitë e mia. Fitorja me Tomorin pati tepër vlera, pasi shërbeu për të blinduar vendin e parë në mbyllje të kësaj faze.

E vështirë ishte, por e rëndësishme është që ia dolëm të jemi të qetë dhe të menaxhojmë të gjitha momentet. Ndihem i vlerësuar në Rrogozhinë.

Është një përvojë që më ka lënë mbresa, pasi ne të huajt nuk ndihemi vetëm. Presidenca na ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tifozët na respektojnë. Unë dhe dy patriotët e mi, Markos dhe Eller, jemi akomoduar në një hotel dhe nuk na mungon asgjë. Është një periudhë e bukur në karrierën time dhe shpresoj të kontribuoj me gola edhe në vazhdim.

Ofertat? Kam një kontratë me rrogozhinasit. Është herët për të diskutuar për këtë”.