Një lajm i bujshëm vjen nga Italia ku lufta për titullin kampion do të ndryshoëj plotëisht duke u ndikuar në mënyrë direkte nga koronavirusi dhe ndalesa që solli për futbollin në këtë vend.

Sipas “La Repubblica”, presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, po mendon si variant ekstrem mbylljen e kampionatit me një play-off të mirëfilltë, që do të bënte që avantazhi i skuadrave të kreut të zhdukej dhe në garë për titull të ishin më shumë se 10 ekipe.

Një hipotezë e mundshme kjo nëse qeveria italiane nuk garanton fillimin në gjysmën e parë të qershorit dhe që do të ngjeshte kalendarin për pjesën e mbetur të këtij sezoni që në Itali duan ta rifillojnë me çdo kusht për të mos humbur të ardhurat nga e drejta TV:

Ka qenë vetë Gravina i cili ka pranuar së fundmi se po shqyrtohet edhe variant i play-off, i cili do të kishte shumë më pak ndeshje, por që do të revolucionarizonte gjithçka. Rregulloret ia lejojnë, pasi ekziston një nen që thotë se për situata të jashtëzakonshme, mund të ndryshohet edhe struktura e kamapionatit gjatë garës dhe ai të imponojë play-off.

Sipas skemës së re do të ishin 12 skuadra në play-off për titullin dhe 8 për rënien. Katër të parat sipas klasifikimit aktual (Juventus, Lacio, Inter dhe Atalanta) do të shkonin direkt në çerekfinale. Roma e vendit të 5 do të sfidonte Kaljarin e vendit të 12, Napoli i vendit të 6 Sasuolon e vendit të 11, Milani do të vihej kundër Bolonjës dhe Verona kundër Parmës.

Fitueset e këtyre çifteve do të ndesheshin me katërshen e parë, po duke marrë për bazë renditjen, të gjitha në ndeshje teke. Një situatë e cila do të bënte secilën nga këto skuadra kandidate për titullin kampion e kualifikimin në Ligën e Kampioneve, pasi edhe ndeshjet mund të zhvilloheshin në fushë asnjëanëse nëse nuk ka garanci në rajonin përkatës.

Një ide që duket absurde në fillim, por me krizën financiare që ka mbërthyer klubet në Itali, askush nuk do të refuzonte një mundësi të tillë nëse do të vihej në peshore përballë mbylljes së kampionatit në tavolinë, pasi paratë e të drejtës TV do të evitonin falimentimin për disa prej klubeve të mësipërm. /vipsport/