Të premtën në orën 17:45, Vllaznia përballet me Partizanin për javën e shtatë të Superiores. Kështu, përtej problemeve të zakonshme te Vllaznia, Mirel Josa ka hall formacionin dhe kryesisht repartin e mesfushës. Në këtë sfidë, i mungojnë dy mesfushorë. Kështu, bëhet fjalë për Heriç dhe Boshnjakun që të dy të dëmtuar.

Në këto kushte, trajneri Josa do të bëjë disa ndryshime në formacion. 11-shja do të fillojë me Zogoviç në portë, kurse mbrojtja me kapitenin Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj. Në mesfushë, Marku do të tërhiqet disi pas prej pozicionit që është parë në ndeshjet e fundit dhe do të luajë aty së bashku me Jonuzin dhe Alivodën.

Sulmi do të jetë me Malën dhe Hoxhajn në krahë, ndërsa në majë pritet të rikthehet njëri mes Aralicës apo Kainës, por me gjasa do të jetë braziliani. Edhe Vulaj mund të ketë një shans për të qenë titullar në këtë ndeshje, por kjo varet nga Josa.

Nga ana tjetër, Liridon Latifi do të mungojë deri në sfidën me Erzenin, pasi ka një problem në kavilje dhe poriaftësohet. Ndërkohë, Boshnjaku ka dalë në stërvitje, por ka vijuar programin e tij i veçuar nga pjesa tjetër e grupit, pasi nuk është gati akoma për lojë. Gjithsesi, sytë e të gjithëve janë tek gjendja e Latifit dhe e Boshnjakut, pasi kosovarët konsiderohen si dy futbollistë shumë të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Mirel Josa. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Marku, Mala, Hoxhaj, Kaina (Aralica) Tr: Mirel Josa