Pasi është zyrtarizuar në mesditën e sotme në zyrat e klubit, drejtori i ri sportiv i KF Vllaznia Eugent Zeka është prezantuar edhe para skuadrës. Ka qenë vetë administratori Astrit Gjyrezi ai që pasditen e sotme ka qenë para futbollistëve dhe stafit teknik për të treguar se kush e ka zëvendësuar Armir Grimën në këtë detyrë. Nuk ka patur shumë nevojë për koment megjithatë të gjithë pjestarët e ekipit i kanë uruar sukseses Zekës në detyrën e re. Vetë ai ka thënë vetëm dy fjalë: “Na shkoftë mbarë të gjithëve”. Sigurisht që nuk është koha për të folur dhe jo më kot, drejtori i ri nuk është prezantuar para gazetarëve. E rëndësishme është që Vllaznia të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive. Administratori Gjyrezi duke folur para futbollistëve është ndalur edhe tek ndeshja e rradhës, ajo me Flamurtarin e ditës së dielë dhe për të, u ka kujtuar atyre se duhet të bëjnë shumë kujdes.”E kemi nisur mirë kampionatin megjithatë kjo nuk mjafton. Nuk kemi bërë asgjë nëse nuk kalojmë me sukses Flamurtarin por kjo skuadër nuk kalohet lehtë sepse po tregon se në kampionatin e ri ka hyrë me pretendime të tjera. Kurrsesi nuk duhet të shfaqni shenja vetëkënaqësie sepse nëse ndodh kështu, atëherë rezultati pozitiv nuk do të vijë dhe kjo do të kishte pasojat e veta”- u është drejtuar numri 1 i klubit shkodran pjestarëve të ekipi. Pas këtyre fjalëve, është vijuar me zhvillimin e seancës së rradhës ndërkohë që ditën e nesërme do të jetë edhe seanca e fundit para se Vllaznia të grumbullohet për ndeshjen e rradhës me skuadrën e Flamurtarit që do të luhet ditën e dielë në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
© shkodrasport.com