Mikëpritja që gjetën në qytetin e Shkodrës, kur kombëtarja e Turqisë luante 3 vite më parë në stadiumin “Loro Boriçi”, ndeshjen ndaj Shqipërisë, e vlefshme për fazën eliminatore të “EURO 2020”, tifozëria turke nuk e ka harruar.

Pikërisht, kjo është një ndër arsyet kryesore, që përfaqësues të shoqatës së tifozëve të Trabzonsporit, kërkojnë t’i kthejnë rrespektin tifozëve shkodranë. Shkak është bërë ndeshja e fundit, që skuadra e tyre ka në kampionatin turk, ku edhe pritet të shpallet kampione e Turqisë pas 39 vitesh.

Lajmi në fjalë bëhet i ditur nga vetë grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras”, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke lënë të hapur mundësinë e një udhëtimi drejt Turqisë, në rrespekt të miqve të tyre të Trabzonsporit.

“Tifozët e Trabzonsporit kanë kontaktuar dhe kanë ftuar “Vllaznit Ultras” në ndeshjen e fundit, që luajnë në shtëpi dhe ku priten të shpallen kampionë të Turqisë, pas 39-vitesh. Të dyja tifozëritë kanë pasur një farë marrëdhënie të mirë dhe erdhi dita që këto marrëdhënie të konkretizohen tamam me një vizitë të sposorizuar prej tyre. Diku tek 30 ose 40 vetë.

Bordi i “Vllaznia Ultras” pritet ta shqyrtojë këtë ftesë, duke qenë se tashmë grupi funksionon si një zë i vetëm dhe duke falënderuar tifozërinë e Trabzonsporit dhe duke i uruar për titullin kampion, do iu kthejmë një përgjigje”,-shkruhet në rrjetin social “Facebook” nga grupimi i tifozëve, “Vllaznit Ultras”.
Maringlen ZHIVANI