NGA MEJDAN ZHIVANI

Një shkrim, një kronikë televizive apo radiofonike, një faqe gazete apo edhe një gazetë e tërë, për një moment, sikur të vihet nëdispozicion të një kampioni si Medin Zhega,është fare pak. Është fare, aq më tepër, për një kampion si ai, për një figurë të tillë, i cili prej disa muajsh vazhdon “betejën” me mbijetesën. Kollosi i fushave të blerta, “luani” dhe “tmerri” i kundërshtarëve në fushën e futbollit kombëtar dhe atë ndërkombëtar, por njeriu universal përtej saj, ai që nuk njohu asnjëherë humbje, por vetëm dinjitet, profesionalizëm, suksese, trofe dhe tituj nga më të ndryshmit,  ai që për më shumë se 18 vjet si futbollist, por edhe për shumë vite si trajner, u kthye në idhull të të gjithë shqiptarëve, prej muajsh, rënkon i shtrirë në shtrat, nga një sëmundje aksidentale dhe e papritur.

 

Medin Zhega, njeriu që i dha gjithçka futbollit shqiptar, qoftë si lojtar, por edhe si drejtues, njeriu që bëri epokë dhe do të mbahet mend gjatë për lojën e bukur dhe golat e shënuar prej tij, drejtimin plot dinjitet dhe profesionalizëm, sidomos të kombëtares shqiptare, njeriut të cilit i detyrohemi, të gjithë, gjithnjë, sot ka nevojë, sado pak, për njëmbështetje morale dhe shpirtërore. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Neurologjisë në Tiranë (apo siç njihet ndryshe Spitali Nr. 5), nën kujdesjen e jashtëzakonshme të stafit mjekësor të këtij spitali, me në krye të mirënjohurin Mentor Petrela. Dhoma numër nëntë, ku ndodhet i shtrirë Mjeshtri i Madh Medin Zhega, për asnjë minutë të çdo dite, nuk e gjen bosh. Çdo minutë e çdo ditë, aty ke vizitorë të ndryshëm nga çdo cep i Shqipërisë, njerëz të sportit dhe njerëz të medias, të të gjitha shtresave, që nga më të thjeshtat e deri tek ato të rangjeve më të larta, bashkëkohëstë tij e të tjerë.  Ky veprim, është një mbështetje morale dhe shpirtërore për të paarritshmit Medin Zhega, pasi përkujdesi mjekësor nuk i mungon, duke shpresuar sado pak, në përmirësimin e  gjendjes shëndetësore të kësaj figure të shquar të futbollit shqiptar.gjithashtu është dhe një vlerësim për vlerat dhe kontributet e këtij njeriu, sport dhe përtej tij, që jeta i ka i paska sjellë dhe të papritura. E gjithë kjo, nuk ishte e vështirë të verifikohej, sapo mbërrin në oborrin e spitalit, ku ndodhet i shtruar i madhi Zhega. Në një ditë krejt normale, së bashku me stafin i “Rubrikës Sportive” në TVSH (Televizionin Publik Shqiptar), ishim në ambjentet e këtij spitali, pikërisht për të vizituar përsëri, nga afër, këtë kollos të fushave të blerta, që për vite të tëra ishte i pamposhtur nga asnjë “stuhi”. Menjëherë sapo mjekët shikonin se njerëz të medias dhe të sportit, e kuptojnë se kanë ardhur për të vizituar për Mjeshtrin e Madh Medin Zhega, dhe menjëherë të vihen në dispozicion. Kjo tregon dhe një herë për vlerat sportive dhe njerëzore, që ka ky njeri. Një ritual i tillëështë çdo ditë në këtë spital, në këtë dhomë, ku vizitorët janë tëshumta.Një bluzë me fanellën e kombëtares shqiptare dhe emrin e tij dhe numrin në shpinë si dhe një buqetë me lule, të dhuruar nga gazetarët e mirënjohur Vladimir Grillo dhe Defrim Methasani, ishin vetëm një simbolikë e thjeshtë, por mjaft domethënës për vlerat e këtij njeriu të madh, për mbështetjen morale për këtë figurë, që gjithë jetën e tij ia kushtoi futbollit, duke ngritur mijëra e mijëraherë peshë zemrat e çdo shqiptari.

Ai ka lënë gjurmë, kudo ka qenë dhe ka shkuar, kudo ka punuar dhe mbi të gjitha në futbollin tonë. Ai gjithnjë ka mbartur ato vlera njerëzore-shembullore si sportist, familjar, trajner, intelektual, të cilat e bëjnë sot akoma më të rëndësishëm për shoqërinë tonë.

Zhega për momentin nuk është në gjendje të flasë, por arrin të kuptojë dhe të fiksojë për momentin, të njohë, çdo person që hyn në dhomën e tij dhe që komunikon me të. Çdo kush që ndodhet pranë tij, qoftë dhe një minutë, bën një akt shumë human, i jep vlerë vetes së tij dhe figurës së Medin Zhegës. Çdo kush që gjendet pranë tij qoftë dhe një minutë, i jep vlerë dhe  kurajo të fuqishme atij, e mbush me optimizëm dhe i jep forcë.

Thonë se “shpresa vdes e fundit” dhe kështu urojmë që të jetë. Stafi mjekësor i spitalit nr.5 është i gjithi në këmbë për Medin Zhegën, dhe ata shpresojnë për një përmirësim të shëndetit të tij, për tapatur përsëri në gjirin tonë, aktivë si më parë, për ta patur përsëri pjesë aktive dhe të futbollit.  Shpresojmë të gjithë!