Kampionati ka nisur mbarë për ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë teksa në dy ndeshjet e para ka arritur dy fitore. Skuadra kampione në fuqi e vendit, në këtë mënyrë edhe tani mban vendin e parë në renditje. Por trajneri i këtij ekipi, Roland Koka është shumë i shqetësuar nga një fakt: mungesa e një ambjenti për stërvitje. Këtë problem të tij, ai e ka ngritur me forcë edhe në prononcimin e tij për gazetën shkodrasport.com kur ka thënë: “Ne vazhdojmë të kemi rezultate të mira. Jemi ekipi kampion në fuqi, vjet kemi dalë nënkampion dhe prej shtatë vitesh që unë jam në drejtimin e këtij ekipi asnjëherë nuk kemi rënë poshtë vendit të tretë. Por më shqetëson jashtëzakonisht shumë një problem: Nuk kemi vend për t’u stërvitur. Nuk kërkojmë luks, thjesht një sallë me parametra që të na vihet në dispozicion. Kemi pritur prej 5-6 muajsh për të na e zgjidhur këtë problem por nuk është bërë asgjë. Jemi ankuar në klubin Vllaznia por askush nuk na e ka vënë veshin. Kjo është absurde. Ne furnizojmë me lojtarë ekipin e parë të Vllaznisë i cili siç dihet nuk ka fondet e duhura për të bërë merkato por mbahet me djem të rinj, megjithatë na kanë lënë në mëshirë të fatit. Kemi elementë të mirë por ata largohen herëpashere nga skuadra kur shohin që nuk ka asnjë kusht për stërvitje. Të ndodhë kështu në vitin 2012 është paksa absurde megjithatë të shpresojmë se diçka do të na rregullohet në të ardhmen sepse kështu, është e kotë të vazhdohet”.

www.shkodrasport.com