Merkatoja e futbollit shqiptar sivjet do të mbyllet më 5 shtator dhe dy ditë para afatit përfundimtar të saj te Vllaznia duket se nuk presin më asnjë lëvizje. Stafi drejtues që është marrë me to, mendon se trajneri Brdariç ka në dispozicion organikën e duhur të lojtarëve me të cilët do të arrijë objektivat që skuadra ka për sezonin e ri.

Duke filluar nga mbrojtja dhe deri në sulm, ka një dublim pozicionesh dhe kjo padyshim që është diçka pozitive për ekipin, por sjell edhe dhembje koke për stafin teknik sepse të gjithë kanë dëshirë të luajnë. Këtë vit ka ardhur një numër i madh lojtarësh nga merkatoja dhe vetëm porta nuk ka ndryshime në krahasim me një sezon më parë, ndërsa në repartet e tjera kanë ardhur shumë futbollistë.

Me ardhjen e tyre skuadra duket më e fortë por këtë do ta vërtetojë koha.Kuqeblutë pas miqësores me Besën, do të nisin përgatitjet për sfidën e parë të kampionatit, atë që do të luajnë në transfertë me Laçin të shtunën e ardhshme. Kuptohet që Vllaznia do të tentojë t’i bëjë nisjen e duhur kampionatit dhe do të synojë fitoren.

Kontigjenti që ajo ka në dispozicion në pamje të parë është më i mirë se ai i sezonit të kaluar dhe për këtë arsye, pritshmëritë janë të mëdha për të.

Presidenti Xhaferi e ka deklaruar në çdo dalje publike se Vllaznia edhe në sezonin e ri do të jetë në garë për fitimin e të dy trofeve dhe tashmë duhet parë se çfarë do të prodhojë ajo në fushën e lojës./SHKODRA-SPORT.COM/