Katër futbollistë të tjerë kanë ardhur në provë tek Vllaznia. Ata luajnë në pozicione të ndryshme, nga porta në sulm dhe janë të kombësive të ndryshme por duket se do të kenë të njëjtin fat si ata të mëparshmit që janë provuar në Shkodër. Lojtarët e ardhur së fundmi janë provuar ditën e hënë në stërvitje nga ana e stafit teknik I cili do të japë më pas edhe për verdiktin final për to.

Njëri nga këta futbollistë është portieri nga Maqedonia me origjinë shqiptare Enes Azisi. Përveç tij ka edhe mesfushori argjentinas Pasardi, mesfushori tjetër shqiptar që ka luajtur në Greqi Loran Shehu dhe sulmuesi ganez Çarls Atsina. Ata kanë zhvilluar të parën stërvitje me kuqeblutë pasditen e djeshme dhe sot mund të jepet një verdikt për fatin e tyre. Nga përshtypjet e para që merren vesh, stafi teknik I skuadrës shkodrane nuk ka mbetur I impresionuar nga paraqitja e asnjërit prej këtyre katër futbollistëve. Kjo do të thotë se shanset janë që edhe ata të largohen dhe të mos e vazhdojnë më provën. Në këtë mënyrë, kuqeblutë po hasin sërish shumë probleme sa I takon gjetjes së lojtarëve në merkato. E ndërsa katër lojtarët e ardhur dje mund të largohen, të tjerë mund të vijnë në provë tek Vllaznia. Drejtuesit e klubit duken të vendosur për të plotësuar nevojat e stafit teknik në ato pozicione ku kanë nevojë. Ndonjëri prej këtyre që mund të vijë, do të provohet në ndeshjen miqësore që kuqeblutë do të zhvillojnë ditën e mërkurë përballë Kastriotit të Krujës. Ky takim është fiksuar që të nisë në orën 18.00 dhe do të luhet në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ai do të jetë një test serioz për futbollistët dhe natyrisht që tashmë skuadra gradualisht duhet të marrë formën e duhur sepse ditët kalojnë dhe pas një muaji, Vllaznia do të jetë në fushë në ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Lushnjës.
© shkodrasport.com