Shpesh herë ka ndodhur që lojtarë të rinj në moshë të transferohen në skuadrat më elitare të Serisë A, por nga mungesa e minutave, detyrohen që të largohen sërish në fund të sezonit.

Në fakt, kampionati italian nuk është prej atyre ligave që mundësohet promovimi i të rinjve, duke qenë se është një kampionat i fortë fizikisht dhe mungesa e eksperiencës, i lë në stol prodhimet e akademisë.

Një rast i ngjashëm është edhe me mesfushorin shqiptar të Fiorentinës, Erald Lakti. 18-vjeçari nga Shkodra ka firmosur një kontratë profesioniste me Fiorentinën, por gjithsesi ai vazhdon të aktivizohet me skuadrën e Primaverës.

“VIP Sport”, ka kontaktuar me Laktin në lidhje me të ardhmen e tij, pasi ai është ndër më të preferuarit e teknikut Pioli dhe në kushte të tilla, drejtuesit kanë vendosur ta mbajnë edhe një sezon tjetër te Primavera, ndryshe nga shokët e tij të skuadrës, ku shumë prej tyre janë huazuar në liga më të ulëta.

Këtë vit, Lakti duhet që të bëjë më të mirën, në mënyrë që të fitojë një ftesë nga Pioli për të qenë pjesë e skuadrës së parë. /Vipsport/