Edi Martini ka folur pas fitores 3-0 në transfertë kundër Vllaznisë. Trajneri i Teutës u shpreh i kënaqur dhe për mikrofonin e Supersport deklaroi:

“Këto 11 lojtarë kanë bërë 4 ose 5 ndeshje njëra pas tjetrës. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe kishim mundësi për të shënuar. Në pjesën e dytë Vllaznia na vuri në vështirësi dhe ndeshja ishte e vështirë. Jam i kënaqur me lojën. Kur u shënua goli i dytë, pastaj e morëm në dorë lojën. Ishte një ndeshje me shumë siklet. Po mendojmë për Europë.

Jam shumë i gëzuar për djemtë. Këto janë ndeshjet e tyre. Ata po japin gjithçka nga vetja. Unë i përgëzoj. Sportistët po shijojnë frytet e punës së tyre. Edhe unë jam i kënaqur. Po japin 120 përqind.

Ndryshimi? Kanë ndryshuar disa gjëra te Teuta. Edhe unë e kam njohur më shumë. Fillimi ka qenë i vështirë. Unë them që dëshira e bashkëpunimit na ka bërë të jemi më harmonikë në grup. Duam të luajmë me dëshirë. Kjo është ajo që i kërkoj futbollistëve.

Ndeshjet në orën 17:00? Ndeshjet në orën 17:00 po na bëhen shumë të lodhshme. Kështu po i shkatërrojmë sportistët. Ne s’kemi pasur kohë për stërvitje fare sepse ndeshjet janë shumë të shpeshta.

Personaliteti i shumë futbollistëve që kemi, ka gjetur mbështetjen e të rinjve. Emiliano Vila është bërë si djalë i ri. Harmonia brenda grupit është shumë e mirë. Kur kemi mundësi të luajmë më vonë, pse jo. Ne po i mbysim djemtë. Në orën 17:00 është e papërballueshme.

Ndeshja me Tiranën ka qenë më e mira. Unë jam në këtë 11-she. Nuk kam zgjedhje tjetër. Unë s’kam çfarë lëviz. Nëse do të kisha pasur pak rotacion, do të pushoja. Loja u zhblloku shumë vonë dhe s’kisha mundësi tjetër.

Kallaku? Sherifi po na kënaq në sulm, por edhe në mbrojtje. Kallaku kishte rrënzat e kofshës. Më vjen keq për Vllazninë, por duhet të mendojë më gjatë. Duhet të lidhë shumë shpejt kontratën që futbollistët ta dinë se ai do të jetë trajneri i vitit të ardhshëm. S’mund të ketë kontrata 2-mujore”, përfundoi ai.