Kampionati i sivjetëm i futbollit shqiptar konsiderohet nga më interesantët e këtyre viteve të fundit për nga mënyra si po zhvillohet gara e deritanishme.Kjo si për luftën e kreut ashtu edhe për atë të mosrënies nga kategoria. Një nga njerëzit që e njeh mirë Superligën shqiptare është Edi Martini i cili vlerëson shumë mënyrën si po zhvillohet gara dhe parashikon një ecuri shumë interesante deri në fund të saj.

“Nga sa po shikohet, ky do të jetë kampionati më interesant i viteve të fundit sepse ka një garë reale si për kreun e renditjes ku janë 3 skuadrat të cilat do luftojnë deri në fund se kush do të jetë kampion. Po ashtu, janë edhe 4-5 skuadra të cilat janë në garë për të luftuar nga rënia prej kategorisë. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë skuadër e cila është “rehat” në renditje”- është shprehur ai për “SHKODRA SPORT”. Martini ndalet edhe tek ish- skuadra e tij- Vllaznia, me të cilën edhe ka luajtur futboll por edhe e ka drejtuar nga pankina. “Pozitat e saj nuk janë të mira sepse edhe sivjet duket në të njëjtën valle siç ka qenë këto vitet e fundit,atë të mosrënies nga kategoria. Nuk është problemi se ajo ka diçka më pak nga ana sportive se skuadrat e tjera që ndodhen në këtë zonë të tabelës. Ajo ka më pak vetëm ndonjë aleancë a diçka të tillë, të cilat janë të zakonshme në futbollin shqiptar dhe prandaj duhet të ruhet prej tyre. Për këtë arsye, duhet të luftojë fort që këtë javë ndaj Flamurtarit për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje sepse nuk mund të pranohet asnjë rezultat tjetër sepse vlonjatët i kanë rival direkt”-është shprehur ish- sulmuesi i kuqebluve. Ecuria e tillë e Vllaznisë sigurisht që ka mërzitur prej vitesh tifozët por edhe njerëzit e sportit të këtij qyteti. Edi Martini e thotë sërish problemin kryesor të kësaj skuadre prandaj shton: “Nuk ka specialist futbolli në Shkodër që nuk e ka thënë se kush është problemi i Vllaznisë këto pesë vitet e fundit. Faji nuk duhet kërkuar as tek sportistët dhe as tek trajnerët por tek mungesa e një presidenti. Prandaj Bashkia duhet të shpejtojë punën për ta kaluar klubin në duart e një privati se ndryshe këto probleme kanë për të qenë çdo vit”.

© shkodrasport.com