Anton Qafarena nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Vllaznisë, pasi i është bashkuar ekipit gjerman Buhl. Madje, shtatlarti shkodran tashmë ka hedhur edhe firmën në kontratë me këtë ekip dhe ka nisur stërvitjen me të. Lajmin e ka konfirmuar për “Shkodra SPORT” vetë lojtari, i cili duket mjaft i kënaqur për nisjen e kësaj aventure të re. Qafarena është vetëm 19 vjeç, por prej dy sezonesh ka spikatur në kampionatin shqiptar me lojërat e tij duke u bërë shpejt një nga elementët më të spikatur të tij. Jo vetëm kaq. Ai sezonin e kaluar u bë pjesë e ekipit kampion Studenti, në ndeshjet e Ligës Europiane, ndërkohë që është edhe kontigjent i kombëtares shqiptare. Për shkodranin vjet u interesua edhe një ekip qipriot, por transferimi nuk u bë i mundur. Por duket se kjo rezultoi për mire, sepse tashmë në skenë i doli një mundësi tjetër më e mirë, ajo e firmosjes në Gjermani. Volejbollisti shkodran ka firmosur një kontratë dyvjeçare me të drejtë shtyrje edhe për një sezon të tretë. Kjo do të jetë një përvojë e re për të dhe shumë e vështirë për t’u ambjentuar, por me të dhënat që ka me siguri që do t’ia dalë të jetë protagonist me ekipin e tij të ri. Të luash në kampionatin gjerman sigurisht që është një arritje e madhe dhe Anton Qafarena do të mundohet që aty të demostrojë vlerat më të mira të volejbollit shqiptar. Me këtë largim ekipi i Vllaznisë ka pësuar një humbje të madhe në luftën e tij për fitimin e të dy trofeve, titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.