Volejbollisti shkodran Anton Qafarena pavarësisht se ka rënë dakord që të vazhdojë karrierën e tij në Gjermani, do të vazhdojë të luajë me Vllazninë deri në fund të këtij sezoni. Lajmi konfirmohet nga trajneri i këtij ekipi Mark Kroqi. Sipas tij, lojtari vërtetë ka rënë dakord me klubin gjerman Buhl për të luajtur me ta por kjo do të ndodhë në sezonin e ardhshëm sepse në këtë periudhë nuk mund të bëhen federime. Për këtë arsye, nisur edhe nga dëshira e lojtarit për të kontribuar për Vllazninë në këtë pjesë të mbetur të këtij sezoni, bëhet e ditur se Qafarena do të rikthehet sërish në Shqipëri në ditët e fundit të shkurtit për t’iu bashkuar ekipit shkodran në stërvitje dhe më pas, për të luajtur edhe në ndeshje me të.

Në fillim të muajit mars do të luhen ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë dhe shkodranët janë pretendentë për fitimin e këtij trofeu. Rikthimi i shtatëlartit 19 vjeçar do të jetë një plus më tepër për kuqeblutë për të arritur objektivat që ato kanë. Trajneri Kroqi natyrisht që është i kënaqur për mundësinë që iu dha këtij sportisti për të vazhduar karrierën e tij në një kampionat më të fortë siç është ai gjerman sepse atje do të mundet të rritet shumë edhe nga ana profesionale por deri në sezonin e ardhshëm, kontributi i tij për Vllazninë pritet të jetë maksimal. Shkodranët në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit e ka patur pushim sipas kalendarit ndërsa këtë javë do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Studentin. Një ndeshje që padyshim do synohet për ta fituar në mënyrë që të kapet vendi i dytë në renditje, që është edhe objektivi aktual i tyre. Me ardhjen edhe të serbit Xhorxheviç apo dhe me rikthimin e Qafarenës, Vllaznia pritet të jetë një konkurrent shumë i fortë për fitimin e të dy trofeve të këtij sezoni.

© shkodrasport.com