Edon Hasani është rikthyer fuqishëm dhe performancat e tij kanë qenë mbresëlënëse ndeshje pas ndeshjeje. Vetë mesfushori shprehet se ende nuk ndihet në 100% të formës, por pret që ta arrijë gradualisht. Në një intervistë për gazetën, ish-mesfushori i Tiranës flet për fitoren me Tiranën, atmosferën që ka aktualisht skuadra, sfidën me Egnatian, por dhe për Europën, që sipas tij fillimisht duhet të sigurohet largimi nga zona “play out”, pastaj të mendohet për më lart.
Dy fitore ndaj Tiranës, rastësi apo tregues force?
Ndeshja ndaj Tiranës ishte fitore e madhe dhe shumë e vështirë. Ishte një ndeshje që e patëm punuar shumë mirë gjatë stërvitjes dhe trajneri Çela ka punuar shumë mirë me ne ndryshe nga ndeshja me Kukësin, si nga ana taktike, por edhe psikologjike, ngaqë ishte ndeshje në transfertë. Luanim ndaj në kundërshtari shumë të fortë, por që e treguam veten dhe në ndeshjen me Tiranën që jemi një kockë e fortë dhe në njëfarë mënyre kemi krijuar një profil skuadre.
Keni mundur dy herë kryesuesit dhe mbajtët larg ndjekësit. Si është situata në skuadër?
Aktualisht kemi njëfarë qetësie, por edhe Egnatia ka bërë mirë, po fiton dhe po na vjen nga pas. Në njëfarë mënyre përballja me ta, ndonëse është ndeshja e radhës, do të ndajë disa gjëra. Në rast të një fitoreje, do të kemi një qetësi edhe më të madhe sa i takon mbijetesës.
Na tregoni një sekret se çfarë e ka shndërruar këtë Kastriot, që nuk humb prej 8 javësh?
Unë po them të kundërtën nga ajo që është thënë nëpër media se ardhjet e reja të janarit ndryshuan situatën etj, etj. Unë them se janë këta çuna, të cilët ishin këtu që në fillim të sezonit e na ndihmuan ne, por edhe ardhja e trajnerit Çela. Na ndihmuan që të kapnim formën dhe të përshtateshim, pasi tre prej nesh vinin pas një pauze gjashtëmujore. Ndaj, ne falë çunave që janë këtu, falë trajnerit dhe stafit arritëm që të marrim formën dhe minutat e duhura.
A e ka arritur Hasani formën e tij optimale?
Të them të drejtën nuk e ndjej ende veten 100%, por që janë edhe 6 ndeshje të rëndësishme, që duhet që t’i fusim një marsh më të lartë, për të arritur që të marrim maksimumin tek ato. Shpresoj që dhe unë të arrij të kap formën më të mirë gradualisht.
Si e prisni ndeshjen ndaj Egnatias?
Është një kundërshtar i vështirë dhe duhet shumë punë për ta mundur. E kemi përgatitur me kujdes gjatë këtyre ditëve. Kemi besim, pasi kemi punuar me përkushtim, dhe duke punuar fort që në stërvitje, mund të arrijmë të marrim tri pikë me Egnatian. Në qoftë se i marrim, që kam besim që do t’ia arrijmë, atëherë do të jemi të qetë dhe 99% të shpëtuar edhe nga vendi i tetë.
Europa është gjithashtu pranë. Kanë ndryshuar synimet tuaja?
Aktualisht jemi gjashtë pikë larg Europës dhe po aq edhe larg vendit të tetë, ndaj ne duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të them të drejtën unë s’e kam menduar Europën, por në qoftë se ne marrim një rezultat pozitiv me Egnatian, mund të shohim për më lart.
Ka qarkulluar lajmi në media që Kastrioti nuk është i licencuar për kompeticionet europiane, a ju është thënë diçka nga drejtuesit?
Është diskutuar dhe na kanë siguruar që po merren me këtë gjë. Por që kjo është një punë, që i takon stafit drejtues.