Ka lindur në Beltojë të Shkodrës më 13.10.1988 por jeton në Itali që në vitin 1999. Pasionin për sportin dhe në veçanti për gjykimin e merr herët dhe për rrjedhojë, në vitin 2008 është gjyqtar i mirëfilltë futbolli pasi ka kaluar disa kategori më të ulëta. Bëhet fjalë për Eduart Pashukun, i cili duket se ka një të ardhme të madhe në këtë fushë në vendin fqinj. Aktualisht ka marrë miratimin për të drejtuar ndeshje si kryesor në kategorinë e quajtur “eccellenza”. Gjatë sezonit të kaluar, ka arritur të mbajë edhe ndeshje të nivelit ndërkombëtar si ajo në mes Juventus dhe ekipit brazilian të Botafagos për të rinjë. Një ndeshje kjo që është transmetuar drejtëpërdrejt nga rrjeti televiziv SKY. Përveç kësaj ndeshje ka gjykuar edhe ndeshje të tilla si ajo Rijeka-Shturm Graz. Pashuku vlerësohet shumë nga specialistët e kësaj fushe në Itali. Jo më kot, ata duke e parë me shumë perspektivë e mbajnë shumë afër. Këtë e tregon më së miri edhe prania e tij në Koverçiano bashkë me gjyqtarët më të mirë italianë në prill të këtij viti. Emocionet që ka ndjerë, Eduarti i ka shpjeguar ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com kur është shprehur: “Ka qenë një moment vërtetë emocionues për mua. Kam qenë në Koverçiano aty ku mblidhet kombëtarja italiane dhe bashkë me ne ishin edhe shumë kampionë të botës të vitit 2006 si Kanavaro, Bufon etj Atje ndenja tre ditë për stërvitje dhe bashkë me mua ishin edhe gjithë arbitrat e Serisë A”. Eduart Pashuku ka filluar të gjykojë edhe ndeshje të rriturish të rajonit të Lazios aty ku jeton por edhe më gjerë. Vlerësimet janë maksimale për të. Jo më kot, më 8 qershor në këtij viti, në Romë është zhvilluar një ceremoni për të nderuar më të mirët e kampionateve dhe ndër to është dhënë edhe një çmim për gjyqtarin më të mirë, çmim ky që ka shkuar për shkodranin Eduart Pashuku. Fotoja e mëposhtme është marrë pikërisht nga ceremonia e marrjes së këtij çmimi. Në këtë mënyrë, shqiptarët në Itali tashmë nuk do përmenden vetëm për futbollin e luajtur në fushë por edhe për gjyqtarët teksa një prej tyre shumë shpejt do bëhet i njohur në vendin fqinj.
Gjergj KOLA