Kjo javë e kampionatit kombëtar të futbollit për moshat e Kategorisë së Parë, ka rezervuar dy ndeshje interesante. Kështu, bëhet fjalë për ndeshjen Basania-Tirana B, për kategorinë e moshës U17, si edhe Basania-Tirana B, të moshës U19. Të dyja ndeshjet luhen sot në Bushat, duke filluar nga ora 10:00.

Të parët që do të zbresin në fushën e lojës janë 17-vjeçarët. Basania, e drejtuar nga trajneri Donaldo Lari, është një skuadër, që është e pozicionuar në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit, me 32 pikë, një më pak se sa Burreli i vendit të parë. Padyshim, që Basania U17, do të kërkojë fitoren, për të vijuar më tej me rezultatet pozitive.

Ndërkohë, poashtu ajo që pritet me interes është edhe ndeshja e 19-vjeçarëve, Basania-Tirana B. Një takim ky, për dy ekipe që janë të pozicionuara në mesin e tabelës së klasifikimit.

Basania, e drejtuar nga trajneri Ersi Çaku, në renditjen e klasifikimit të Grupit A, ndodhet me 19 pikë, teksa kërkojnë fitoren e rradhës për t’u ngjitur edhe më lart. Ndërkohë, të njëjtën gjë kërkon edhe skuadra mike, që renditet një vend më poshtë Basanias, me 18 pikë.

Takimi në fjalë, është i planifikuar të luhet në orën 12:00, po në fushën e Bushatit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së parë të 17-vjeçarëve.

Maringlen ZHIVANI