Merkato e janarit do na shoqërojë në gjithë muajin që vjen. Lajmet për largime apo afrime të futbollistëve patjetër që do zënë hapësirën më të madhe të lajmeve sportive. Kjo duke qenë se edhe shumica e kampionateve do jenë pushim deri nga data 10-12 janar. Përjashtim nga ky rregull nuk bën as Superliga.
Klubet shqiptare po punojnë për të përforcuar skuadrat e tyre me elementë sa më cilësorë të mundshëm. Por nëse ka një profil që po e kërkojnë të gjitha skuadrat e kampionatit është ai i sulmuesit të qendrës. Sulmuesi tipik mungon thuajse për të gjitha skuadrat e kampionatit këtë edicion.
Përjashtim ndoshta bën vetëm Laçi që tek Guindo ka gjetur numrin 9-të perfekt. Kjo pasi sulmuesi afrikan po shënon në vazhdimësi dhe po mban mbi shpatulla fatet e kurbinasve. Por ekipet e tjera po vuajnë për atë sulmuesin e zonës, ku në vitet e shkuara ishin të shumtë në kampionatin tonë.
Në përgjithësi futbolli botëror po vuan për sulmues të shumtë të një kalibri të lartë. Kjo edhe pse tashmë futbolli është shndërruar në një lojë më teknike ku kërkohen mesfushorë me tipare sulmuese, apo sulmues krahu. Sulmuesi i zonës është një “specie në zhdukje” dhe në merkaton e janarit do jetë e vështirë për secilin ekip të gjejë njeriun ideal për sulmin.
Endri ÇINARI