Edhe pas ndeshjeve të javës së 19-të të Superligës shqiptare, Vllaznia vazhdon të kryesojë renditjen e fair play-it të FSHF-së. Ajo mban vendin e parë me 148.429 pikë duke lënë në vend të dytë sërish Teutën me 146.571 pikë. Kjo diferencë këtë javë ka ardhur duke u thelluar sepse javën e shkuar ka qenë më e vogël, diçka më pak se një pikë. Fakti që skuadra shkodrane është në vend të parë në këtë renditje, tregon jo më kot se ajo është më korrektja e kampionatit në të gjitha drejtimet. Asnjë probleme me futbollistët dhe stafin teknik në fushë, asnjë problem me tifozët në shkallët e stadiumeve, çdo gjë në rregull me organizimit e ndeshjeve dhe për rrjedhojë, edhe pikët që merr nga të deleguarit e Federatës, kanë qenë më të shumta se të çdo ekipi tjetër. Pikërisht kjo ecuri, i ka bërë drejtuesit e klubit shkodran të mendojnë se do t’u takojë atyre kupa e ekipit më fair-play të kampionatit por mbi të gjitha, edhe çeku prej 15 milionë lekësh që jepet me këtë rast. Prej vitesh, këtë kupë e merr Teuta e Durrësit ndërkohë që tashmë duket se ai do ndërrojë qytet sepse Shkodrës i takon në fakt për mënyrën shumë korrekte të përcjelljes së një ndeshje futbolli.

www.shkodrasport.com