Futbolli shqiptar do rikthehet nesër në aktivitet me ndeshjet e kthimit të turit të dytë të kupës. Çiftet që do përballen mes tyre do përcaktojnë edhe çerekfinalistët e këtij kompeticioni. Por ajo që bie në sy përpara zhvillimit të këtyre takimeve është se shumica e skuadrave do jenë “endacake”.

Kjo për arysen se nuk mund ti zhvillojnë ndeshjet në stadiumet e tyre. Kështu Teuta do e presë Korabin në “Olmipik Park” dhe jo në “Niko Dovana”. Partizani ndeshjen e kthimit kundër Besëlidhjes nuk do e zhvillojë në Tiranë, por do shtegtojë drejt Cërrikut dhe stadiumit “Nexhip Trungu”.

Tirana-Dinamo do luhet në “Elbasan Arena”, e po ashtu Laçi në kompleksin “Internacional” kundër Tomorit. Kukësi dhe Egnatia do e zhvillojnë duelin mes tyre në Vlorë, në stadiumin “Flamurtari” dhe Kastrioti do presë në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës skuadrën e Flamurtarit.

Vetëm Vllaznia dhe Skënderbeu do i luajnë këto ndeshje të kthimit në stadiumet që iu përkasin atyre. Çudirat në futbollin tonë vazhdojnë prej vitesh dhe ekipet duket se janë mësuar të jenë “endacakë” e të bredhin sa një stadium në tjetrin.
Endri ÇINARI