Pak ditë më parë, në të gjitha mediat kombëtare u bë lajm për Eurditën 11 vjeçare nga Barbullushi që kishte vendosur të merrej me futboll, por shkonte në stërvitje me barkun bosh për shkak të problemeve të theksuara ekonomike që kishte familja e saj.

Por sot, familja Haxhia ka patur pak më shumë gëzim. Ka qenë ekipi i femrave “Juban Danja- Murlani” që e ka vizituar këtë familje dhe në fakt nuk kishte shkuar duarbosh. Vajzat e këtij ekipi i kanë çuar ushqime për pak kohë dhe rroba për të gjithë familjarët. Gjithashtu stafi dhe ekipi kanë marrë përsipër të ofrojnë ushqime për disa muaj me radhë për këtë familje.

Një gjest shumë domethënës për të ndihmuar Euriditën e vogël dhe familjen e saj. Një shenjë solidariteti që flet vetë dhe nuk ka nevojë për shumë koment.

Familja Haxhia ka probleme të theksuara ekonomike. Ajo është e përbërë nga 4 anëtarë: prindërit dhe dy fëmijët. Vajza është në moshën 11 vjeçare ndërsa djali 9 vjeçar shfaq disa probleme serioze me shëndetin.

Kjo familje kërkon ndihmë pasi nuk mund të plotësojnë as nevojat bazë për vete dhe fëmijët e tyre. Kryefamiljari po ashtu është i sëmurë dhe merr ndihmë ekonomike, ndihmë e cila nuk ju mjafton për të paguar ilaqet, e jo më për të kaluar muajin.

Ato shprehen se nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash dhe në ndihmë ju vijnë vetëm fqinjët dhe disa nxënës nga shkolla të ndryshme.

Megjithëse në këto kushte të vështira, vajza e familjes Haxhia u bë pjesë e ekipit të moshave U13 të Murlanit dhe pasi ky lajm u bë i ditur, nga ekipi i parë menjëherë u solidarizuan dhe ofruan sado pak ndihmë për këtë familje.

Kuptohet që këto ndihma janë minimaliste duke e krahasuar me atë çka kjo familje ka nevojë, prandaj jo vetëm kjo familje por edhe i gjithë ekipi bën thirrje për të gjithë duke përfshirë edhe institucionet, të solidarizohen dhe të ndihmojnë sadopak këtë familje.

Në fund të fundit, Eurdita e vogël e meriton të ndjehet e lumtur ashtu si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Edhe i vëllai i vogël ka nevojë për mbështetje dhe veprimi i sotëm i ekipit të femrave të “Juban Danja- Murlanit” flet vetë.
Fabiola CAKA