Nga Endri ÇINARI

Teuta arriti një fitore në shifrat 1-2 në javën e 29-të të Superiores kundër Tiranës. Durrsakët triumfuan në kryeqytet falë golave të Jazxhi dhe Dacit, të cilët i siguruan 3 pikët “djemëve të detit”. Ku me këto 3 pikë, Teuta i largohet dyshes së fundit të kampionatit duke u ngjitur kështu në kuotën e 34 pikëve në total.

Madje ambiciet janë akoma më të mëdha tashmë për ekipin e drejtuar nga Edi Martini, ku janë vetëm 6 pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Skënderbeu. Por me durrsakët që kanë edhe 1 ndeshje për të luajtur dhe në rast të një rezultati pozitiv, diferenca me korçarët mund të ngushtohet. E duket se Martini e njeh mjaft mirë ambientin në Durrës dhe sa herë ekipi është në vështirësi, shkodrani thirret në apel.

Këtë e tregon edhe forma e shkëlqyer e Teutës në periudhën e fundit. Skuadra ka marrë 13 pikë në 5 ndeshjet e fundit në Superiore. Duke qenë kështu ekipi më i mirë përsa i përket periudhës së fundit në kampionat. Pas tyre gjatë 5 ndeshjeve të fundit vjen Vllaznia me 10 pikë të grumbulluara e ndërsa treshen e parë e mbyll Skënderbeu me 9 pikë të fituara në 5 duelet e fundit në kampionat.

Statistikat e durrsakëve marrin akoma më shumë kuptim, kur shikon se në vitin 2024 ata kanë marrë vetëm 2 humbje. Kjo në ndeshjen e parë të vitit kundër Partizanit në shifrat 1-0 e po ashtu kundër Vllaznisë në javën e 23-të me rezultatin 2-1. Duke treguar kështu një stabilitet e po ashtu pathyeshmëri në ndeshjet shtëpiake duke qenë se disfatat kanë ardhur në transferta për ekipin e drejtuar nga Martini./www.shkodrasport.com/